NJË HARAÇINË NDRYSHE! Intervistë me Kryetarin e Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi


Për herë të parë po shuhen paragjykimet për një komunë që për dekada nuk paguante tatim, por tanimë Haraçina nuk është njollë e zezë e opinionit. Kështu deklaron kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi në intervistën e tij për gazetën KOHA. Ai tregon të arriturat e tij në vitin që po e lëmë pas, por edhe projektet që do të realizohen vitin e ardhshëm. Për herë të parë do të hapet edhe çerdhja e shumëpritur për haraçinasit – “Fatosat”. Ibraimi madje ishte decid ku thotë se simboli i kësaj komune – KF “Shkëndija” shumë shpejt ndeshjet e saj do t’i luaj si nikoqir

KOHA:Si e vlerësoni vitin që po lëmë pas, a janë arritur qëllimet që kishit paraparë?

IBRAIMI: Edhe pse këtë vit e filluam dhe po e mbarojmë me llogari të bllokuar e me shumë borxhe të trashëguara nga udhëheqësia paraprake,kemi arrit të bëjmë shumë,më shumë nga se ç’kishim planifikuar. Vlen të theksohet se në fillim të vitit kishim 18 bllokada aktive nga përmbarues,kurse sot në fund të vitit na ka mbetur edhe disa lëndë pa zgjidhur, kurse disa shuma më të vogla i kemi paguar plotësisht,disa po i paguajmë me këste por ka edhe lëndë për të cilat kemi parashtruar ankesa ose kemi ngritur padi. Për nga natyra nuk jam nga ata që gjejnë arsyetime dhe ankohen tërë kohën, përkundrazi kjo gjendje për asnjë moment nuk ka ndikuar në motivimin tim dhe nuk më ka zmbrapsur nga qëllimet që i kam vendos vetes,fundja unë kur kamë vendosur t’i hy kësaj pune kamë qenë i vetëdijshëm se me çfarë situate do të përballem. Kuptohet, asnjëherë vetëm por me miq e shokë kemi arritur të krijojmë fillimisht një ekip të mirë dhe shumë të motivuar, kryesisht të rinj por edhe persona me përvojë dhe në këtë mënyrë kemi ngritë kapacitetin administrativ të komunës. Qytetarët e Komunës Haraçinë janë dëshmitarë se po punohet çdo ditë dhe tani më po i ndjejmë të mirat e projekteve që kemi realizuar,por ka dhe disa që janë në realizim e sipër.

Nga shtatori i këtij viti ka filluar me punë Shkolla Fillore Komunale “Abdyl Frashëri” një subjekt i ri me objekt i cili po rinovohet komplet, nga brenda dhe nga jashtë, me sallë të re sporti të mbyllur, hapësira administrative të reja, oborr komplet të rinovuar, fushë sporti e hapur dhe dy klasa të përshtatshme për nxënës me nevoja të veçanta.

Kemi themeluar Çerdhen për fëmijë “FATOSAT” e cila shumë shpejtë do të fillojë me punë, e kemi themeluar subjektin, kemi bërë sistematizimin dhe jemi në fazë të angazhimit të punonjësve, prandaj besojmë se në fillim të vitit që po vjen të fillojmë me punë në një objekt të ri dhe shumë modern me kushte të njëjta si çerdhet e shteteve të zhvilluara evropiane. Kemi krijuar ndërmarrjen komunale “AMBIENTI” dhe kemi investuar në makineri moderne për mbledhje dhe transportim të mbeturinave, disa janë donacione nga Islamic Relief dhe Kalliri i Mirësisë, kurse disa me mjete vetanake dhe mundë të them se kemi një ndërmarrje komunale shumë efikase dhe funksionale që ofron shërbime cilësore për qytetarët tanë. Kemi hapur dhe rregulluar disa rrugica dhe shtigje për këmbësorë në Haraçinë, kurse në Grushinë dhe Orllancë kemi intervenuar gjithashtu në hapjen dhe rregullimin e disa rrugicave. Me financim të Qeverisë, përmes ministrisë së ambientit kemi siguruar rregullimin e kanalit atmosferik të cilin fillimisht e kemi pastruar me mjete vetanake dhe tani më punët veç kanë filluar për rregullimin e shtratit I cili duhet të përfundoj diku nga pranvera, një projekt me vlerë mbi 1 milion euro. Ajo që vlen të theksohet është pastrimi i deponisë dhe vendosja e kontrollit të rreptë, për të ndaluar hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave,prandaj lirisht mund të themi se ajo pamja e vrazhdë që me vite po na turpëron si Haraçinë, tani më i takon të kaluarës, por në 2024 përfundimisht do të jemi një nga komunat e para që do të zgjidhim përfundimisht çështjen e mbeturinave përmes një projekti për bashkëpunim ndërkufitar bashkë me komunën e Rahovecit, mjete këto të siguruara nga fondet evropiane.

Dhe ajo që është lajmi më i mirë për këtë vit, është mbledhja e tatimit në pronë. Sot, me shumë krenari dhe mburrje mund të konstatojmë se Haraçina nuk është më “njollë e zezë” si komunë ku nuk paguhen tatimet.

Ajo që dua t’a them dhe duhet potencuar është fakti i pamohueshëm se qytetarët padrejtësisht janë etiketuar si mospagues të tatimit. Unë mund ta them me shumë bindje se qytetarët tanë janë shembullorë,ka shumë nga ata që vullnetarisht janë drejtuar në Komunë dhe kanë kërkuar vendimin për tatim. Në të kaluarën faji krejtësisht ka qenë i Komunës, sepse qytetarët nuk kanë pasur kujt t’i paguajnë tatim, sepse nuk ka pasur as regjistër të pronave, as sektor për tatim, as sistem për pagesë. Por tani më nga viti i kaluar kemi formuar sektorin për tatime, kemi bërë regjistrimin e pronave,kemi instaluar softuerin (ELTAS) dhe kemi trajnuar stafin, mirëpo e gjithë kjo është realizuar fal ndihmës dhe përkrahjes së parezervë të USAID të cilët këtë vit komunën e Haraçinës e kanë cilësuar si storie suksesi sa i takon mbledhjes së tatimeve dhe transparencës fiskale. Nëse i kthehem pyetjes suaj, mund të konstatojmë se ky vit ka qenë shumë i suksesshëm dhe logjikisht këto suksese dhe punë janë garancë për një vit shumë më të suksesshëm në 2024.

KOHA: Çka e dallon Haraçinën prej kur jeni ju në krye të Komunës? Në çfarë gjendje financiare kadrovike, hapësinore është komuna dhe cilat problemet kryesore me të cilët përballeni?

IBRAIMI: Se çka e dallon Haraçinën nga marrja në mandatin tim, përgjigjen më të saktë besoj mund t’a japin qytetarët e Komunës. Pa dashur të jem subjektiv, një nga qëllimet kryesore që i kamë vënë vetes dhe po investojmë shumë mundë është përmirësimi i imazhit për Haraçinën, nëse arrijmë të ndryshojmë perceptimin për Haraçinë kuptohet në aspekt pozitiv – për mua kjo do të ishte arritja më e madhe. Me profesion jam ekonomist dhe e kuptoj shumë mirë çfarë do të thotë imazhi i një vendi për një investitor të huaj. Fatkeqësisht në të kaluarën komuna jonë është njëllosur shumë, shumë herë jo për faj të qytetarëve të sajë, por më shumë nga të tjerët, për shkak të paragjykimeve që kanë për Haraçinën por ka edhe qarqe që sukseset e Haraçinës i mërzisin shumë, por unë ua them të gjithëve shumë hapur, miqve ua them për t’i inkurajuar kurse armiqve për t’i dëshpëruar, ne jemi të vendosur më shumë se kurrë që t’a ndryshojmë perceptimin për Haraçinën.

Këtë vit kemi marrë lajmet e para pozitive në këtë drejtim, jemi komuna me më shumë rritje të transparencës fiskale dhe kjo nënkupton zero korrupsion dhe qeverisje e mirë dhe transparente. Probleme sigurisht që kemi, por kemi dhe shumë vullnet për punë, po funksionojnë me llogari të bllokuar, me borxhe të shumta që po i servisojmë me sukses, përmbaruesit janë problemi kryesor që po na krijojnë telashe në funksionim. Kemi investuar në ngritje të kapaciteteve administrative. E gjetëm komunën me gjashtë të punësuar nga të cilët gjysma ishin staf teknik. Sot jemi afër tridhjetë të punësuar dhe mund të them se kemi vendos themelet e një administrate efikase dhe cilësore për t’ju bërë ballë kërkesave dhe nevojave të mbi 15 mijë banorëve të Komunës Haraçinë.

KOHA: Më shumë se një dekadë nuk paguhet tatimi në Haraçinë, si po ecën ky proces dhe sa është përqindja e pagesës që kur jeni ju në krye të komunës?

IBRAIMI: Jo një dekadë, por që nga formimi i Komunës Haraçinës nga 1996 nuk është paguar tatimi në pronë, e thash edhe më lartë që qytetarët janë fajësuar padrejtësisht për mospagesë të tatimit në pronë,faji plotësisht ka qenë i menaxhmentit pa dallim i të gjithëve që kanë udhëheqë me komunën në të kaluarën. Kjo zatën edhe ka ndikuar në së shumti në prishjen e imazhit të Haraçinës dhe shpeshherë kemi qenë edhe objekt tallje e nënçmimi nga opinioni dhe kjo është një e padrejtë e pafalshme por edhe një dëm shumë i madh që i është bërë Haraçinës dhe qytetarëve të sajë.

Me ardhjen time në krye të Komunës këtë problem e kam vendosur si top prioritet për zgjidhje, kemi filluar nga zero, që të mos përsëritem, sot Haraçina është Komuna që ka rritje me 422% në krahasim me vitin e kaluar në aspekt të mbledhjes së tatimeve dhe këtë e thotë një organizatë shumë kredibile ndërkombëtare siç është USAID të cilët i falënderoj publikisht për ndihmën që na kanë dhënë që nga fillimi dhe një pjesë të meritës për këtë sukses u takon edhe atyre. Haraçina paguan tatime dhe tani më kjo na hapë mundësi për të përfituar edhe më shumë fonde dhe e gjithë kjo ndikon në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale.

KOHA: Çfarë parasheh Buxheti i vitit 2024?

IBRAIMI: Sa i takon Buxhetit, ka shumë për të folur, keni parasysh që jemi komunë që po funksionojmë me llogari të bllokuar për shkak të borxheve dhe funksionojmë me limit gjyqësorë. Sa për ilustrim, javën e kaluar përmbaruesi na mori nga llogaria edhe paratë e rrogave të punëtorëve për muajin dhjetorë, kjo flet shumë për gjendjen, por sigurisht se kjo nuk i intereson shumë qytetarit që ka halle dhe kërkon shërbime, fundja prandaj na kanë zgjedhur për t’u marrë me këto probleme dhe për t’i zgjidhur ata. Për herë të parë kemi organizuar debat publik për propozim buxhetin dhe qytetarët patën mundësi të njoftohen me propozimet dhe të marrin informacione të drejtpërdrejta se çka planifikojmë për vitin 2024.

Kemi rritje të buxhetit në krahasim me vitin e kaluar dhe fokusi kryesor është arsimi, infrastruktura, sporti dhe kultura, por risi do të kemi edhe në sferën e mbrojtjes sociale. Shpresojmë që vitin që vjen, përfundimisht të debllokojmë llogarinë e komunës dhe kjo do të na hapë mundësi shumë të mira sidomos në aspektin e përfitimit të mjeteve financiare nga IPA fondet, sepse kemi shumë projekte të gatshme, por kushti themelor për të aplikuar dhe për të fituar mbështetjen financiare nga këto fonde është që komuna mos ketë llogari të bllokuar, prandaj mund të them se jam optimist që vitin e ardhshëm do t’a arrijmë këtë.

KOHA: Kur përfundimisht çerdhja e shumëpritur do të nis t’i pret fëmijët?

IBRAIMI: E thash edhe tek pyetja e parë, çerdhja është një projekt shumë i nevojshëm për Komunën tonë që ka një natalitet të lartë dhe kjo është pasuria jonë më e madhe. Objekti është gati, procedura e regjistrimit të subjektit ka përfunduar, kemi emëruar përgjegjës dhe kemi bërë sistematizimin e vendeve të punës, tani jemi në fazë të ekipimit me staf punonjës por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë për shkak të disa profileve deficitare që nevojiten për të filluar me punë, sidoqoftë parashikimet tona janë që në fillim të vitit do të fillojë me punë çerdhja për fëmijë “FATOSAT”. Është me rëndësi të theksojë faktin se kjo çerdhe nuk është e mjaftueshme sepse kemi një numër të madh të fëmijëve nga mosha zero deri në gjashtë vjet dhe planet tona janë që të zgjerohemi me grupe të disperzuara edhe në Orllancë dhe Grushinë.

KOHA: Deri ku është puna me projektin për stadiumin, a mund të presin tifozët e Klubit Shkëndija që shumë shpejt ndeshjet të fillojë t’i luaj në Haraçinë?

IBRAIMI: Pa dashur t’i ekzagjeroj gjërat, sepse ju e dini dhe opinioni në përgjithësi e sidomos tifozët dhe kryesia e klubit “Shkëndija” se kjo është kushtimisht thënë – tema më e nxehtë, por unë jam shumë i bindur se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejtë. Ne e kemi fut stadiumin në planin projektues dhe këtë e ka votuar Këshilli komunal. Jemi në komunikim dhe koordinim me FFM- në dhe kryetarin Sejdini, i cili na ka vizituar këtu në komunë bashkë edhe me Kryesinë e klubit “Shkëndija” kemi folur për gjitha detajet, unë nuk dua të shpalosë më shumë për këtë temë, por për t’u përgjigjur në pyetjen tuaj direkte, vetëm po e përsëris atë që e tha kryetari i Federatës, zoti Sejdini në takimin që kishim në Komunë para disa kohë bashkë edhe me kryesinë e Shkëndijës, tifozët mund të jenë të qetë sepse “Shkëndija” sezonin e dytë të vitit ardhshëm do ta fillojë në Haraçinë.

KOHA: Në çfarë gjendje është ndërmarrja publike “Ambienti” dhe a po i kryen shërbimet me rregull dhe në kohë por edhe pagesa për shërbimet nga e qytetarëve?

IBRAIMI: E përmenda tek pyetja e parë, po e përsëris se kemi një ndërmarrje shumë efikase, të ekipuar mirë, me administratë shumë profesionale, së fundmi jemi pajisur edhe me makineri moderne dhe të llojllojshme si për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave, por edhe mirëmbajtjen e hapësirave të pastra publike, ekskavator dhe cisternë për ujë. Tani më nuk ka asnjë arsyetim që Ndërmarrja mos të kryej shërbimet me rregull,në kohë dhe kuptohet shërbime cilësore. Por ajo që duhet të potencoj është fakti se Ndërmarrja të vetmin burim financimi e ka pagesën nga ana e qytetarëve dhe në sajë të këtyre pagesave funksionon. Nuk mund të them se jam i kënaqur me pagesën sidomos për ujin nga ana e qytetarëve, ka shumë prej tyre që janë të rregullt në pagesë, por një numër i madh fare nuk kanë paguar ose kanë ngecje, por ne sigurisht se po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore që pagesat të kryhen me rregull. Kemi dërguar paralajmërime përmes avokatit për disa raste dhe sigurisht që nëse edhe kjo nuk jep rezultate, hapi i radhës dihet, asnjëherë nuk do të kishim dashur që ndonjë qytetarë t’a dërgojmë në përmbarues, por nëse kjo është mënyra e vetme – atëherë sigurisht se Ndërmarrja do të veproj konform mundësive që ja mundëson ligji.

KOHA: Cilat janë projektet ose prioritet për vitin 2024?

IBRAIMI: Kuptohet që kemi prioritete dhe projekte për 2024, por duke e pas parasysh atë që thashë më lartë lidhur me buxhetin dhe mundësitë që i kemi, dua të jem i sinqertë me qytetarët e mi, ata i dinë dhe i kanë parë punët që janë bërë gjatë këtij viti, nëse kemi parasysh që vitin që po lëmë pas ishte i vështirë në aspekt financiar, ajo që mund të ju them qytetarëve të Komunës është fjala ime e sinqertë se do të bëjmë shumë më shumë se vitin e kaluar. Prioritet do të jenë arsimi, sporti, infrastruktura dhe mbrojtja sociale, por kjo nuk nënkupton se s’do të investohet edhe në projekte tjera. Për fund përfitoj nga rasti që në vitin që vjen të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të ju dëshiroj fillimisht shëndet, paqe, lumturi, punë dhe suksese të shumta në vitin 2024.