Kryetari i Komunës së Haraçinës, z. Daut Beqiri, zhvilloi sot një takim pune me drejtorin e kompanisë së transportit “Vestor Trans”, z. Memet Asani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Në takim u diskutua gjerësisht mbi nevojën urgjente që Haraçina të ketë më shumë linja të autobusëve dhe një shërbim më të rregullt të transportit publik. Kjo është një nga kërkesat më të shpeshta të banorëve tanë, të cilët çdo ditë përballen me vështirësi për të lëvizur drejt Shkupit dhe zonave të tjera.

Theksuam se zgjerimi i linjave të autobusëve dhe rritja e frekuencës së tyre është domosdoshmëri për përditshmërinë e qytetarëve, veçanërisht për nxënësit, studentët, punëtorët dhe të moshuarit që varen nga transporti publik.

Nga kompania “Vestor Trans” kërkuam që ky proces të realizohet sa më shpejt, duke i dhënë prioritet Haraçinës dhe duke vendosur një orar më funksional, me më shumë autobusë gjatë ditës.

Komuna e Haraçinës do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të sjellë përmirësime konkrete, duke garantuar shërbime më të mira dhe cilësore për të gjithë banorët tanë.