Të nderuar qytetarë
Për herë të parë në historinë e Komunës Haraçinë në vitin 2025 do të kemi buxhetin më të madh që ndonjëherë është miratuar, e nëse e marrim për krahasim me atë se si ne startuam ta udhëheqim këtë komunë ku nuk kishte më shumë buxhet se sa 1.5 milion euro në vitin 2021, sot ose më saktë, me miratimin e buxhetit për vitin 2025 nga ana e Këshillit Komunal, janë siguruar diku, 4.5 milion euro që do të thotë kemi rritje diku 200% të buxhetit në nivel komunal.
Kemi shumë projekte që do t’i realizojmë në vitin 2025, por sigurisht se përveç infrastrukturës, prioritet mbeten shkollat tona, prioritet është çerdhja që do të startojmë shumë shpejtë dhe projektet që kemi përgatitur e që janë në interes të madh të qytetarëve, disa rrugë e rrugica.
Gjithashtu e kemi primare fazën e dytë të kanalizimit dhe aty do të jemi të përqendruar, meqenëse vitin 2024 e lëmë me një investim shumë të madh në shkollat tona, në vitin 2025 do të përqendrohemi më tepër në infrastrukturë dhe në rregullimin e kanalizimit sepse realisht është kërkesë e madhe prej qytetarëve që faza e dytë e kanalizimit për ujrat e zeza të përfundon sa më parë.
Të nderuar qytetarë, ju sigurojmë se kohët e vështira tani më i takojnë të kaluarës dhe po futemi në një fazë tjetër shumë më të favorshme për zhvillimin e përgjithshëm të Komunës Haraçinë.
Në vitin 2025 do të vazhdojmë me ngritjen, avansimin dhe shtimin e kapaciteteve administrative që nënkupton rritje e efikasitetit qeverisës, rritje e transparencës, rritje e standardit, menaxhim efikas dhe rritje e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve lokale.
Bazuar në projektet që do të realizojmë në vitin 2025 Komuna e Haraçinës do të shëndërrohet në kantier ndërtimi por jemi të motivuar maksimalisht dhe me besim të plotë që bashkarisht do të arrijmë suksese të mëdha duke bërë shumë punë të hajrit dhe në shërbim të qytetarëve.
Na priftë e mbara dhe paçi shëndet e harmoni në familjet e juaja në vitin 2025.
Me respekt: Kryetari i Komunës Haraçinë Ridvan Ibraimi

