Sot shënuam dy jubile të rëndësishme për Haraçinën, 30 vjetorin e themelimit të Komunës së Haraçinës dhe 25 vjetorin e Betejës së Lavdishme të Haraçinës.
Aktivitetet përkujtimore filluan me zbulimin e pllakës përkujtimore në shtëpinë bazë të UÇK-së, në shtëpinë e z. Ragmi Emini – Komandant Musteqja. Më pas zhvilluam homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, ku përkujtuam me respekt të thellë bijtë më të mirë të kombit, që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.
Manifestimi qendror u mbajt në Amfiteatrin e Hapur pranë Komunës së Haraçinës, me pjesëmarrjen e shumë gjeneralëve, komandantëve, veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe lokale, si dhe qytetarëve të shumtë.
25 vjetori i Betejës së Lavdishme të Haraçinës na rikujton heroizmin, guximin dhe sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë tonë. Prania e gjeneralëve dhe bashkëluftëtarëve në këtë përvjetor ishte një dëshmi e gjallë e rrugës së vështirë që u përshkua për të arritur lirinë që e gëzojmë sot.
Në të njëjtën kohë, me krenari festuam edhe 30 vjetorin e themelimit të Komunës së Haraçinës. Tre dekada rrugëtim institucional, zhvillim dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve janë dëshmi e forcës dhe qëndrueshmërisë së komunës sonë. Ky jubile është një moment reflektimi për arritjet e deritanishme dhe një motivim për të vazhduar punën për një Haraçinë edhe më të zhvilluar.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve, nderim për veteranët dhe urime të gjithë qytetarëve për 30 vjetorin e Komunës së Haraçinës!


















































