Dita e parë e shkollës është gjithmonë një moment i veçantë, ku emocionet dhe pritshmëritë bashkohen në një fillim të ri. Sot, qindra nxënës rikthehen në bankat e shkollës, ndërsa fillestarët bëjnë hapat e tyre të parë drejt dijes – hapa të vegjël për ta, por me kuptim të madh për të ardhmen tonë.
Gjatë mandatit tonë katërvjeçar, arsimi ka qenë prioriteti ynë i pandryshuar. Me investime konkrete në çdo shkollë të komunës, kemi përmirësuar dukshëm kushtet e mësimit dhe kemi siguruar që nxënësit të kenë gjithçka që u nevojitet për të ecur përpara. Sot, me shpërndarjen e uniformave për fillestarët, kemi dashur të japim një shembull tjetër të kujdesit dhe përkushtimit tonë për gjeneratën e re.
Arsimi nuk është vetëm detyrim institucional – është përgjegjësi e përbashkët dhe premtim ndaj së ardhmes. Prandaj, edhe në vitet që vijnë, arsimi dhe mirëqenia e fëmijëve tanë do të mbeten gjithmonë prioriteti ynë kryesor.
Urojmë që ky vit shkollor të sjellë gëzim, suksese dhe frymëzim për çdo nxënës dhe mësimdhënës.















