Delegacioni i lartë nga Brukseli për vizitë në Komunën e Haraçinës

Të dashur qytetarë,

Sot pata nderin dhe kënaqësinë të pres në një vizitë zyrtare një delegacion të lartë të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga znj. Silvija de Lacovo – Menaxhere e Programeve në Drejtorinë për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (ENEST) – e shoqëruar nga zëvendësdrejtori Giulio Venneri dhe këshilltarë të tjerë të BE-së. Delegacioni kishte udhëtuar enkas për të vizituar Komunën e Haraçinës.

Qëllimi i vizitës ishte inspektimi i projektit të Qendrës për Selektim të Mbeturinave, e cila po ndërtohet në komunën tonë dhe që është e para e këtij lloji në gjithë Maqedoninë e Veriut.

Kjo vizitë përfaqëson një moment tejet të rëndësishëm për komunën tonë. Haraçina është zgjedhur si komunë model nga një delegacion i lartë që viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky vlerësim na mbush me krenari dhe është dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm.

Jam i lumtur që puna jonë e palodhshme ka arritur të vlerësohet edhe në Bruksel. Këtë vlerësim e konfirmuan edhe vetë mysafirët tanë gjatë takimit. Në emrin tuaj, i shpreha falënderime znj. Silvija de Jakovo për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkimin Evropian, përmes projekteve ndërkufitare me vendet fqinje.

Gjatë takimit, delegacionin e njoftova për sfidat kryesore me të cilat përballet komuna jonë, përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm, trajtimin e ujërave të zeza dhe çështjen e ujit për ujitje. Delegacioni shprehu interes të veçantë për këto çështje dhe kërkoi informacione të detajuara. Mbështetja që na u premtua nga miqtë tanë nga Brukseli na motivon edhe më shumë për të vazhduar përpjekjet në këto drejtime.

Së bashku vizituam edhe kantierin e punimeve, ku konstatuam progresin e mirë të projektit. U dakorduam që dinamika e punës të intensifikohet, me qëllim që kjo qendër moderne për selektim mbeturinash të vihet sa më shpejt në funksion.