23.08.2022 (e martë), në hapësirat e komunës së Haraçinës kishim nderin të mirëpresim ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut znj. Anke Holshtajn.

Në këtë takim u bisedua për problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet komuna jonë që nga marrja e mandatit.

Fillimisht njoftuam ambasadoren znj. Holshtajn për situatën momentale në të cilën gjendet komuna e Haraçinës, edhe atë në lidhje me energjinë elektrike, çështjen e ujësjellësit, punimet në teren, çështjen e çerdhes për fëmijë si dhe shumë tema të cila janë në interes të komunës sonë.

Biseda u fokusua në problemin e imponueshëm dhe i vazhdueshëm, problemin e rrymës elektrike dhe rolin e EVN-së në tërë këtë problem. Njoftuam ambasadoren znj. Holshtajn se problemi me rrymën elektrike për banorët e Haraçinës disi shkaktohet me plotë vetëdije dhe me leje të vetë EVN-së, me arsyetim se në komunën e Haraçinës nuk ka kushte sigurie që punonjësit e EVN-së të ushtrojnë detyrën e vet, gjë e cila bie në kundërshtim me vet parimet e funksionimit të EVN-së. Ashtu siç EVN-ja funksionon në shumë komuna dhe vendbanime të RMV-së, kërkojmë që edhe te ne si komunë të funksionoj, pra në momente kur e kërkon nevoja që ekipet e EVN-së të shoqërohen edhe me organet e rendit publik, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodh.

Me këtë rast, edhe ambasadorja znj. Holshtajn shprehu shqetësimin e saj lidhur me situatën e EVN-së.

Sado qoftë i madh të jetë problemi, nuk duhet të tolerohet ndëshkim kolektiv për të gjithë banorët e komunës së Haraçinës, qofshin ata që rregullisht paguajnë faturat e rrymës, qofshin ata që fare nuk paguajnë.

Ambasadorja znj. Holshtajn përshëndeti gatishmërinë e komunës së Haraçinës për bashkëpunimin e hapur me çdo institucion, me qëllim që problemi i instaluar i energjisë elektrike të zgjidhet një herë e përgjithmonë.

Shërbimi për informim i komunës së Haraçinës