Të nderuar banorë të Komunës së Haraçinës, me rastin e Ditës së Komunës së Haraçinës dhe Ditës së Çlirimit të komunës tonë dje kaluam një ditë të bukur dhe shumë të veçantë, duke e zbukuruar atë me një sërë aktivitetesh të ndryshme.

Fjalimi i kryetarit të komunës tonë z. Ridvan Ibraimi me këtë rast:

Më lejoni që në emër të Komunës së Haraçinës, si dhe në emrin tim personal, tu përshëndesë me përshëndetjen më të mirë që ekziston, ajo është përshëndetja e paqes, si dhe tu dëshiroj mirëseardhje në shënimin e 24 QERSHORIT.

Sot në fakt shënojmë përkujtimin e legjendarëve tanë, dëshmorëve të kombit, gjegjësisht 21 vjetorin e betejës së Haraçinës, si dhe ditën e Komunës së Haraçinës.

Shumë nga shokët tanë, miqtë tanë e vëllezërit tanë flijuan jetën e tyre, që ne sot të frymojmë lirshëm, të lëvizim lirshëm, të shkollohemi, të ecim përpara.

Andaj, më e pakta që mundëm ta bëjmë për këta heronjtë, ishte që, edhe ditën e Komunës ta përshtatim me këtë ditë madhështore për Haraçinën, pra 24 Qershorin.

Për hir të kësaj dite të rëndësishme sot ne si Komunë realizuam disa aktivitete.

Aktivitetin e parë për shënimin e ditës së Komunës e filluam me vizitën e varrezave të dëshmorëve, duke bërë homazhe e lutje.

Realizuam disa aktivitete ekologjike, pastruam disa rrugë dhe hapësirë tjera publike.

Për hir të ditës së komunës shkolla fillore komunale “ Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” organizuan një program festiv të mrekullueshëm ku interpretuan nxënësit e shkollës me pika të ndryshme letërare dhe artistike.

Në bashkëpunim me të gjitha shkollat fillore të komunës tonë organizuam gara vrapimi, ku pastaj i shpërblyem fituesit.

Për herë të parë sivjet futëm disa praktika të reja për ta shënuar këtë datë me rëndësi, edhe atë:

– Dekoruam nxënësit më të mirë të gjeneratave të 3 shkollave tona, kurse nxënësve të klasës së IX u siguruam bursë për nxënës, e cila do ta zgjasë deri sa zgjat suksesi i shkëlqyeshëm i nxënësit;

– Dekoruam disa personalitete e veteranë të Haraçinës që kanë dhënë kontribut të madh në fusha të caktuara, edhe atë:

1. Për kontributin në sport dekoruam sportistët e rinj të vendit tonë.

2. Për kontributin në edukim dhe arsim dekoruam prof. Rexhep Bajramin.

3. Për kontributin në promovimin e vlerave fetare e kulturore dekoruam H. hfz. Irfan ef. Abazin.

4. Dekoruam kryetarin e parë të Komunës së Haraçinës z. Murat Ajdinin.

5. Për kontributin në fushën e paqes dhe pajtimit të gjaqeve dekoruam H. Asip Feratin.

6. Për kontributin e dhënë në komunën tonë dekoruam kryetarin e parë të bashkësisë lokale z. Qani Alitin.

7. Për kontributin dhe veprimtarin në çështjen kombëtare dekoruam H. Daut Abazin.

8. Zhvillimi i deritanishëm ekonomik në komunën e Haraçinës do të ishte i pamundshëm pa mbështetjen e vëllezërve tanë nga diaspora, kështu që me këtë rast dekoruam edhe shoqatën Mërgimtarët e Haraçinës.

Shpresoj se në vitin e ardhshëm, 24 Qershorin do ta shënojmë edhe me më shumë aktivitete.

Por, e tërë kjo mundësi që na është dhënë, është falë flijimit të gjakut të dëshmorëve tanë të Haraçinës, e më gjerë.

Andaj, ajo që mund të bëjmë ne për këto trima të kombit, është që së paku ti përkujtojmë në lutjet tona, në zemrat tona, në punët e aktivitetet tona.

Lufta e 2001 përfundoj, por vazhdon ajo e lapsit dhe e tavolinës.

Trimat tanë na sollën deri këtu ku jemi tani, na e lënë neve ta bartim emanetin e tyre gjeneratave pas nesh. Ata e kaluan provimin, flijuan veten e tyre që ne të shohim pakëz dritë– siç do të thoshte Naimi i madh.

Por, ne ku jemi, vallë a do ta kalojmë provimin?

Kërkojmë që ta mbrojmë çështjen tonë kombëtare-shqiptare, por ama mbështesim e përkrahim opsion joshqiptar.

Kërkojmë punë, por ama nuk dëshirojmë që të punojmë.

Kërkojmë shërbime më të mira institucionale, por ama nuk i përmbushim obligimet e caktuara.

Vëllezër, ky nuk është emaneti i trimave tanë…..

Lavdi dëshmorëve të kombit 🇦🇱

Urime dita e komunës së Haraçinës